Fierakut të dënuar në Belgjikë i sekuestrohen 260 mijë € dhe 8 apartamente në Orikum

Nga A2 CNN
21 Qershor 2024, 14:32 | Kronikë

Fierakut të dënuar në Belgjikë i sekuestrohen 260 mijë

Mbi 260 mijë euro të ndara në dy llogari bankare dhe 8 apartamente me sipërfaqe të ndryshme, që ndodhen në territorin e bashkisë së Orikumit, i janë sekuestruar një 47-vjeçari nga Fieri pas vendimit të Gjykatës së Posaçme.

Pasuritë e sekuestruara janë në pronësi të Veip Ormënaj, i dënuar në Belgjikë për trafik droge, dhe të familjarëve të tij. Sekuestrimi i pasurive erdhi pas një vendimi të GJKKO që pranoi kërkesën e bërë nga SPAK, që bëri regjistrim procedimi pasuror ndaj Ormënajt më 23 shkurt 2023.

NJOFTIMI:

Në vijim të njoftimit për shtyp të datës 24.07.2023, bazuar në ligjin Nr.10192 datë 03.12.2009, i ndryshuar, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin pasuror nr.6, të vitit 2023, në ngarkim të shtetasit Veip Ormënaj dhe familjarëve të tij.

Ky procedim pasuror është regjistruar mbi bazën e akteve të administruara në kuadër të referimit pasuror nr. 2769, datë 22.02.2023, përcjellë nga Autoritetet Belge të Drejtësisë, nga të cilat rezulton se shtetasi Veip Ormënaj është dënuar nga autoritetet gjyqësore të Belgjikës me vendimin penal. Nr. 2012/CO/277, për veprat penale të “Trafikim i substancave narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, parashikuar nga legjislacioni penal i Mbretërisë së Belgjikës.

Pas kryerjes së hetimeve pasurore rezultoi se, shtetasi Veip Ormënaj zotëronte pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat nuk justifikohen me burime të ligjshme të ardhurash dhe të cilat dyshohen se janë produkt i veprimtarisë së tij kriminale.

Në vijim Prokuroria e Posaçme, paraqiti para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit Veip Ormënaj dhe familjarëve të tij.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.25, datë 20.06.2024, ka vendosur konfiskimin e pasurive, si më poshtë:

Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 220.80m2;

Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 216.50m2;

Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 47.50m2;

Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 44.30m2;

Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 48 m2;

Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 58.70 m2;

Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 46.30m2;

Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 93.m2;

Depozitë bankare në shumën prej 190.013.78 Euro;

Depozitë bankare në shumën prej 68. 987.00 Euro.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani