
Policia Kufitare e Durrësit ka finalizuar operacionin policor “Marine”, që kishte për qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë operacionit, u arrestua shtetasi K. Gj., 47 vjeç, pasi në kamionin që ai drejtonte u gjetën të fshehur tre shtetas shqiptarë që synonin të kalonin ilegalisht në Itali.
Nga verifikimet e mëtejshme dhe shkëmbimi i informacionit mes Interpolit në Tiranë dhe Romë, rezultoi se dy prej personave të fshehur në kamion ishin në kërkim nga autoritetet italiane:
R. M., 37 vjeç, banues në Lezhë, ishte në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Pistoias, Itali, për disa vepra penale, përfshirë “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në grup kriminal për trafik droge”. Ai u arrestua provizorisht në pritje të ekstradimit në Itali.
K. D. (i njohur edhe me identitetet K. F. dhe K. P.) ishte shpallur në kërkim kombëtar në Itali. Edhe ky shtetas u arrestua, ndërsa pritet urdhri ndërkombëtar i arrestit nga autoritetet italiane.
Personi i tretë i fshehur në kamion, S. D. (alias K. M.), ka qenë më parë i dënuar me burg nga Gjykata e Pratos në Itali për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Për të nisi procedimi në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi kamionin, disa celularë dhe dokumente që do të shërbejnë për hetimet e mëtejshme.
(A2 Televizion)