“Gërdeci”, Mediu në Gjykatën e Posaçme: Rihapja e çështjes, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Europiane

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2023, 11:36 | Kronikë

“Gërdeci”, Mediu në Gjykatën e Posaçme:

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u paraqit sot ne Gjykatën e Posaçme ku dha shpjegime në procesin që po zhvillohet ndaj tij, ndërkohë që vijon pyetja e dëshmitarëve mbi çështjen e shpërthimit në Gërdec më 15 marsin e 2008-s.

Shpjegimet e bëra nga Mediu në Gjykatën e Posaçme.

-“Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri. Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit”.

-“Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut”.

- “Neni 66 i Kodit Penal parashikon se nuk mundet të ushtrohet ndjekja penale nëse nga dita që është kryer vepra, deri në ditën që personi merret i pandehur, kanë kaluar 10 vjet, për rastin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Cila është baza ligjore që i ka dhënë të drejtën prokurorisë të ngrejë akuzë ndaj meje, pasi kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga 15 marsi i vitit 2008, momenti kur mendohet të jetë kryer vepra penale?”

-“Kur nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, për të dënuar, që i largohen dhe  i fshihen drejtësisë, si mundet të ketë pezullim të parashkrimit të ndjekjes penale për një individ i cili nuk është hetuar për mbi 10 vjet dhe që prezumohet i pafajshëm?!”

- “Për më shumë se 15 vjet unë nuk jam pyetur pothuaj asnjëherë”.

- “Çfarë provash, apo rrethanash të reja janë shfaqur edhe pasi ka kaluar afati 10-vjeçar i parashkrimit, që e shtynë  prokurorinë/SPAK të rihapë këtë proces? Asnjë prove, asnjë e dhënë e re”.

- “Në vendimin për të rihapur procesin dhe për të dërguar çështjen në gjyq, nuk është respektuar as vendimi i Gjykatës së Lartë nr. 1106, datë 21.12.2021. Në paragrafin 23 të këtij vendimi përcaktohet qartazi, se në momentin e disponimit përfundimtar të prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe dërgimin e çështjes në gjyq, do të vlerësohen afatet e parashikuara në nenin 66 të Kodit Penal”.

- “Ju e nderuara zonja gjyqtare keni vendosur që për parashkrimin të shpreheni në fund të këtij gjykimi edhe pse personalisht kam bindjen se kishit arsye të plota ligjore për tu shprehur në momentin e paraqitjes së kërkesës nga ana ime”.

- Duke vendosur për vazhdimin e gjykimit, e gjej të pajustifikuar vendimin tuaj për të refuzuar kërkesën time për të thirrur si dëshmitar në këtë proces, autoritete, ish-Këshilltarin për Sigurinë të Presidentit Amerikan dhe ish-Komandant Supreme i NATO-s, Zv/Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Ministri Gjerman apo ai Italian, te cilët kishin vetëm një interes të vinin për të dëshmuar të vërtetën, se kush është roli i Ministrit Civil të mbrojtjes, përgjegjësitë dhe roli ushtarak në demontim, sepse kanë qenë këta Amerikan që na bënë anëtar të NATO-s na mësuan se çështë Nato, si transformohen FA, na shkruajtën ligje, strategji, VKM, direktiva e urdhra, plane si bëhet administrimi i municioneve dhe kush e bën atë, na financuan dhe kompanizë e vëndeve të tyre bën demontimi. Dëshmia e tyre lidhet direkt me funksionin dhe detyrën, për të cilën unë akuzohem se e kam shpërdoruar”.

- Sipas akuzës, është bërë demontimi i municioneve të ashtuquajtura “kalibër i madh”. – Çfarë lidhje ka detyra e ministrit me përcaktimin e kalibrave të municioneve?! Sipas akuzës, si shkak i shpërthimit është përcaktuar një pakujdesi e një punonjësi që ka salduar një karrocë. – Nëse është kështu, atëherë çfarë lidhje ka urdhër i ministrit me shkakun e shpërthimit?!

- Forcat e Armatosura si strukturë e veçantë veprojnë me ligjin 9210/2004 i cili përcakton qartë veprimet dhe qëndrimet me urdhrat, po ashtu kanë një rregullore të jetës brendshme të ushtrisë që prej viti 1993, e cila detajon këto veprime, në rast të urdhërave të paqartë apo të paligjshëm. Nuk ka asnjë dokument, njoftim apo shqetësim, me shkresë apo me gojë, të ngritur tek ministri nga strukturat civile dhe ushtarake në lidhje me procesin e demontimit në Gërdec, përkundrazi kanë deklaruar, se ishte teknologjia më e mirë dhe perfekte.

- Unë akuzohem se kam shkelur Ligjin për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2009, ndërkohë që ngjarja e Gërdecit ka ndodhur në 15 Mars 2008 dhe unë kam dhënë dorëheqjen si ministër 3 ditë më pas!!!!!

Prej disa seancash, akuza ka vijuar me pyetjen e familjareve të viktimave si dëshmitarë. Një pjesë e tyre u paraqit edhe gjatë ditës së sotme. Me rihapjen e çështjes, Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në punishten ku demontoheshin armët, teksa ai mbante detyrën e ministrit të Mbrojtjes.

Mediu dhe avokatët e tij, që në krye të herës, i kanë hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se posti i tij nuk ishte i lidhur direkt me çështje që mbikëqyrën dhe referohen nga Forcat e Armatosura, dhe se përgjegjësinë e tij politike e ka marrë duke u dorëhequr si ministër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos