Përfshihet nga flakët shtëpia e të moshuarve në Fier

Nga Çaku Tafa
29 Nëntor 2023, 15:57 | Kronikë

Një zjarr ka përfshirë rreth orës 15:30 të kësaj të mërkure shtëpinë e të moshuarve në Fier. Zjarri ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në godinën pranë shtëpisë së të moshuarve. Fillimisht flakët janë pikasur në katin e dytë, duke shkaktuar dëme materiale. Në panik 51 të moshuarit kanë dalë në oborr mes tymit e flakëve.

Menjëherë në vendngjarje kane mbërritur forcat zjarrfikëse të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe ambulancat të cilat kane transportuar drejt spitalit rajonal të Fierit 16 prej të moshuarve me probleme shëndetësore, për asistencë mjekësore.

Të moshuarit rrëfejnë momentet e panikut, ndërsa kërkojnë më shumë siguri në institucionin ku janë strehuar.

Ndërkohë kryebashkiaku Armando Subashi, ka pohuar se fatmirësisht ky zjarr nuk pati pasoja të dëmshme ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë e një godine të re.

“Ka qenë një zjarr aksidental në pjesën e pasme të godinës, ku është kabina elektrike. Aty duket vatra e parë e zjarrit dhe pastaj tymi ka bërë punën e vet, sidomos në pjesën e pasme ku është mensa dhe kuzhina. Për fat të mirë, të moshuarit kanë qenë nëpër dhoma. Ne i kemi çuar në spitalin rajonal të Fierit për t’u qetësuar. Besoj se nesër do të rikthehen pas edhe pastrimit të godinës. Nga ajo që pashë unë, nuk kemi dëme në pjesën e godinës, vetëm në pjesën e pasme të saj. Deri nesër besoj se do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Gjendja e të moshuarve ishte e mirë, një pjesë kanë qëndruar këtu. Pjesa e atyre që ishin në gjendje më serioze u dërguan në spital për të qenë në mbikëqyrje të mjekëve”, tha Armando Subashi, kryetar i bashkisë së Fierit.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij zjarri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos