“Gërdeci”, Mediu: Nuk e zhbëj dot atë që ka ndodhur, proceseve nuk u jam fshehur

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2023, 16:23 | Kronikë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka folur për mediat pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Posaçme ku dha shpjegime në procesin e “Gërdecit.”

Ndër të tjera, ish-ministri deklaroi se atë që ka ndodhur nuk e zhbën dot teksa shtoi se në këto vite që gjykohet çështja, “nuk u është fshehur proceseve, dhe se nuk është larguar nga vendi.”

Po ashtu, Mediu u ankua për një sërë dëshmitarësh që nuk u morën parasysh nga Gjykata duke shtuar se dëshmia e specialistëve dhe shoferëve nuk mund të jetë e dobishme pasi “ata nuk mund të vlerësojnë akuzën për shpërdorim detyre.”

Kreu i PR-së theksoi ndër të tjera se parashkrimi është shkelur dhe bëri thirrje që procesi ndaj tij të jetë i rregullt. Kurse, i pyetur për faksin e Shkëlzen Berishës, Mediu u shpreh se nuk ka qenë në dijeni të tij.

“Nuk kam dijeni. Një ditë më para këtij faksi ka ardhur vendimi i ministrit të Drejtësisë i shprehur në mbështetje të VKM-së. Po të ishte ashtu do të kisha njoftuar unë dhe jo ai. Ministri nuk ka ndikuar. Më gjeni një vetëm që unë të kem dhënë një urdhër. Çdo rast shkresat ia kam përcjellë strukturave ushtarake e civile nuk kam vepruar asnjëherë në kundërshtim me vendimet e Shtabit të Përgjithshëm."

Kujtojmë se ditën e sotme, akuza ka vijuar me pyetjen e familjareve të viktimave si dëshmitarë. Një pjesë e tyre u paraqit edhe gjatë ditës së sotme. Me rihapjen e çështjes, Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në punishten ku demontoheshin armët, teksa ai mbante detyrën e ministrit të Mbrojtjes.

Mediu dhe avokatët e tij, që në krye të herës, i kanë hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se posti i tij nuk ishte i lidhur direkt me çështje që mbikëqyrën dhe referohen nga Forcat e Armatosura, dhe se përgjegjësinë e tij politike e ka marrë duke u dorëhequr si ministër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos