Si u përzgjodh Gërdeci? SPAK pyet ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes

Nga Armand Bajrami
30 Nëntor 2023, 16:26 | Kronikë

Si u përzgjodh Gërdeci? SPAK pyet ish-sekretarin e

Dëshmitari i fundit në procesin për Gërdecin ishte ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai. Në dëshminë e tij Mullai ka folur mbi procedurën për demontimin e armëve, si edhe është përgjigjur se në ç’mënyrë u përzgjodh Gërdeci.

“Ndiqja zbatimin e detyrave, s’kam bërë ndonjë procedurë për Gërdecin. Kompania e demontimit na solli ofertën për procesin, kundrejt pagesës. Shtabi kërkonte licencim për këtë procedurë, bëri një memo për këtë, më pas realizova takimin me kompaninë për metodologjinë e procedurat, nga MM dhe Shtabi. Ishte takim njohës, jo konkludues, m'u bë një kërkesë që t’i drejtohesha ndërmarrjeve ushtarake, në një kohë të shkurtër. Erdhi përgjigjja, u ngrit grupi i punës për analizën e situatës, më pas doli urdhri i ministrit për grupin e punës.

Nga drejtoria përkatëse m'u tha se s’kishte bazë ligjore dhe kërkohej një VKM. Meico solli një memo, ku thuhej se duheshin demontuar municionet e viteve '50, të cilat nuk shiteshin për shkak të vitit të vjetër të prodhimit. Pas daljes së konkluzionit të grupit të punës, dolën çmimet për shitjen dhe demontimin. Nisi hartimi i një VKM.

“I kam dërguar shkresë drejtorive përkatëse për ofertat e ndërmarrjeve ushtarake, siç ishte ndërmarrja e huaj SAC. Ka pasur disa fakse të ardhura në shifra që ia kalova komisioneve përkatëse”.  

Në pyetjen e prokurorit nëse ka pasur licencë SAC, dëshmitari u përgjigj: Ishin paraqitur licenca, 4 mesa mbaj mend. MEICO ishte shoqëria që mbante kontaktet me kompaninë SAC përfshirë këtu edhe për licencimin.

I pyetur nga prokurori se si u përzgjodh Gërdeci për demontimin e municioneve, Mullai u përgjigj:

 “Në diskutimet me MEICO më duket kishte marrëveshje dypalëshe me SAC, ku mes të tjerash ishte përcaktuar si lokacion Gërdeci”.

Nëse kishte apo jo licencë reparti i Gërdecit dëshmitari përgjigjet: “Praktika e licencimit nuk varet nga sekretari. Në çdo praktikë që unë kam kaluar edhe në të shkuarën, nuk ishte në përgjegjësinë e sekretarit apo ministrit përcaktimi nëse licenca e një reparti ishte e duhur apo jo. Ishte MEICO që e përcaktonte”.

Lidhur me kompaninë Alba Demil, një degëzim i SAC, nëse kishte dokumentacionin e duhur apo jo, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, përgjigjet:

“Marrëveshja përmendte vetëm SAC, nuk përmendej Alba Demil, nuk kam dijeni, sepse Alba Demil nuk figuronte në asnjë shkresë. Nuk është bërë asnjë verifikim për shkak se nuk figuronte. Nuk e njoh as Mihal Deliorgjin (drejtuesin e kompanisë AlbaDemil).

Ndërsa i pandehuri Fatmir Mediu e pyeti ish-vartësin e tij se kush e përcaktonte buxhetin, ministri apo shtabi?

“Ministria e Mbrojtjes kishte një veçori në ndryshim nga ministritë e tjera, buxheti i të cilave përcaktohej nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes, buxheti përcaktohej nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Ish-ministri e pyeti dëshmitarin, nëse në takimin me kreun e SAC Patric Henry ka qenë prezent apo jo vetë ai.

Dëshmitari :Jo!

Ndërsa pyetjes nëse ndonjëherë municionet janë shitur me ankand ai u përgjigj negativisht.

Në fund, ish-ministri e pyet: Ju keni qenë i akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim me ish-ministrin e Mbrojtjes. Si ju kanë gjetur të tria shkallët e gjyqësorit.

Dëshmitari: Të pafajshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos