Safet Gjici ka treguar para Gjykatës se si ka nisur përplasja mes tij dhe Abedin Oruçit, që solli, sipas tij, edhe kurthin në zyrën e Bashkisë, ku Gjici u filmua duke kryer seks oral me Alma Kaçin.
Në përfundim të konkluzioneve të paraqitura nga avokati i tij, Gjici deklaroi: “Përplasja ime me Abedin Oruçin ka nisur që në vitin 2019 kur unë, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, i hoqa atij rrethimin me kangjella hekuri të sheshit para bashkisë, sepse nuk ishte pronë e tij. Këte gjë e provova në bazë të dokumenteve në Kadastër që ajo toke nuk ishte e Abedin Oruçit. Bëhet fjalë për 9,3 dynym tokë. Po ashtu unë nuk kam lejuar që Abedin Oruçi të ndërtojë një objekt pa leje në afërsi të liqenit të Kukësit. Po ashtu me Oruçin kam pasur edhe përplasje fizike ditën që ka qenë në Kukës ambasadorja holandeze. Kam bërë kallëzim për të, 5 akuza në ngarkim të tij por ka arritur t’i pushojë”.
Gjici thotë se ka qenë Oruçi që e ka paguar Alma Kaçin në shenjë hakmarrjeje për shkak se nuk e ka lejuar të zaptojë prona në mënyrë të paligjshme. “Ai ka qenë mbi 1 vit në kërkim për çështjen e ndërtimeve pa leje. Pse Alma, pasi bëri videon ia dha Abedin Oruçit? Pse nuk hetohet ky fakt ndërkohë që unë hetohem prej 6 muajsh a thua se kam krijuar organizatë terroriste? Ku është premtimi që i kam bërë unë Alma Kaçit për projektin? Në buxhetin e vitit 2023 nuk kishim parashikuar fond për qentë”.
“Unë kam marrë dënimin më të madh, atë moral dhe u kërkoj falje familjarëve të mi dhe qytetarëve të Kukësit”, shtoi Gjici duke u përlotur. “Oruçi donte që të ikja unë dhe ai të vinte në zbatim projektet e tij, shkoni në Kukës dhe shikoni si i kanë zaptuar pronat e bashkisë. Unë kërkoj pafajësi sepse nuk kam shkelur asnjë ligj”.
SPAK ka kërkuar deklarimin e fajshëm të Gjicit për akuzën e "korrupsionit" dhe dënimin e tij me 3 vjet burg. Për të bashkëpandehurën e tij, Alma Kaçi, SPAK kërkoi një dënim me 1 vit burg, po për akuzën e “korrupsionit”.
Ish-kryetari i Bashkisë Kukës u arrestua pas një videoje të publikuar, ku ai shfaqej duke kryer seks oral me një grua, më pas të identifikuar si Alma Kaçi. Disa ditë më vonë, u publikua një version i plotë i videos, ku Kaçi dhe Gjici flisnin për mundësinë që ajo të merrte një tender për kujdesin e qenve të rrugës në Kukës. (A2 Televizion)