Ngarkesa e energjisë elektrike ka shkaktuar pesë vatra zjarri në pak minuta në Shkodër. Shumë më i madhi dhe problematik rezultoi zjarri në nënstacionin elektrik të Draçinit.
Në total, 4 transformatorë në lagje të ndryshme dhe nënstacioni pesë, kanë angazhuar mbi 20 mjete zjarrfikëse dhe dhjetëra efektivë për të vënë nën kontroll flakët.
Drejtori i repartit zjarrfikës tregon angazhimin dhe njoftimet e njëpasnjëshme për vatra zjarri në zona të ndryshme.
Sakaq, zjarri pranë nënstacionit të Draçinit, përveç se ka shkaktuar panik tek banorët e zonës, ka djegur edhe një magazinë me një vlerë të konsiderueshme malli brenda saj.
OSHEE në një njoftim për këtë ngjarje, ka deklaruar se po merren masat e nevojshme për të rikthyer energjinë elektrike në disa lagje të Shkodrës dhe fshatra, përfshirë edhe Velipojën, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij zinxhiri zjarresh në transformatorët e energjisë elektrike. (A2 Televizion)