Kalon për gjykim dosja e Inceneratorit të Tiranës. Gykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK, që më datë 2 gusht njoftoi zyrtarisht mbylljen e hetimeve për 12 personat e akuzuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre”. Vetëm tre prej të pandehurve kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Në seancën e ardhshme pritet që të shqyrtohet një tjetër trupë gjykuese do të vendosë nëse do të pranohet kërkesa e tre ish-zyrtarëve SilenaTola, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi.
Pjesa tjetër e të pandehurve kanë kërkuar procedurën e gjykimit të zakonshëm. Masat për inceneratorin u lëshuan në dhjetor të vitit 2023, ndërsa për gjykim kanë kaluar ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Tboma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj dhe Silena Tola.
Për inceneratorin e Tiranës, ish-deputeti socialist Alqi Bllako njëherësh sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është ndarë më vete, kjo për shkak se, Bllako po hetohet për një tjetër akuzë, atë të korrupsionit. Më 16 dhjetor Apeli i Posaçëm pritet të shpallë vendimin për inceneratorin e Fierit, dosje për të cilën në Shkallën e Parë ish-ministri Lefter Koka është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg, ndërsa ish-deputeti Alqi Bllako me 2 vjet.
Më herët, më 8 nëntor Apeli i Posaçëm shpalli vendimin përfundimtar ndaj të pandehurve për inceneratorin e Elbasanit, duke ashpërsuar dënimin me 5 vjet e 6 muaj te Kokës në Shkallën e Parë në një dënim me 6 vjet e 8 muaj. Në të njëjtin vendim Apeli rrëzoi pafajësinë e fituar në Gjykatën e Posaçme për Alqi Bllakon, duke e fajësuar atë për "shpërdorim të detyrës" dhe dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg. (A2 Televizion)