Një operacion policor i koduar si “Transnacioanlja” zbuloi dhe goditi dy raste të trafikimit të personave të rritur nga Ukraina që operonin në qytetin e Vlorës. Pjesëtarët e këtij rrjeti rekrutonin shtetas ukrainas në vende të ndryshme të Europës dhe i sillnin në Shqipëri, ku i privonin nga dokumentet e udhëtimit dhe i detyronin të kryenin aktivitete të kundërligjshme, sqaroi në deklaratën për mediat drejtori i policisë së Vlorës, Elidon Çela.
Personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” 4 shtetas të huaj , teksa njeri prej tyre wshtw shpallur ne kërkim. Autoritetet shoqëruan 19 shtetas ukrainas, të moshës 18-26 vjeç, të cilët ishin viktima të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë operacionit u sekuestruan laptopë, pasaporta udhëtimi, karta ID dhe aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë. (A2 Televizion)