Policia e Korçës ka goditur një grup kriminal prej 14 personash që shiste drogë në afërsi të shkollave dhe në ambiente që frekuentohen nga të rinjtë. Pas një viti hetimesh u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 3 pjesëtarë të këtij grupi, ndërsa u shpallën në kërkim 2 të tjerë. Personat e arrestuar janë Donadel Agolli 31 vjeç, Redion Gjata 33 vjeç dhe Sajmir Suvaria 33 vjeç. Ata akuzohen për "Prodhim dhe shitje e narkotikëve". Gjatë periudhës hetimore 9 pjesëtarët e tjerë të grupit janë hetuar në gjendje të lirë.
“Nga hetimet ka rezultuar së këta shtetas shpërndanin lëndën narkotike, në afërsi të shkollave dhe në ambiente që frekuentoheshin nga të rinjtë, në qytetin e Korçës dhe të Bilishtit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 180 gramë kokainë, 40 gramë cannabis sativa, 1 peshore elektronike, 2 automjete, 13 celularë, 1000 euro dhe 30 000 lekë”, njofton policia.
Njoftimi i Policisë
DVP Korçë/Finalizohet pas 1 viti hetime me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, operacioni i koduar “Break”.
Goditet një grupi kriminal (i përbërë nga 14 shtetas) që ushtronte veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në afërsi të shkollave dhe në ambiente që frekuentohen nga të rinjtë.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 3 pjesëtarë të këtij grupi. Shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë periudhës hetimore janë hetuar në gjendje të lirë 9 pjesëtarët e tjerë të grupit.
Si rezultat i një hetimi 1-vjeçar të kryer me metoda proaktive, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, në zbatim të masave të megaoperacionit të koduar “Tempulli”, u finalizua operacioni policor i koduar “Break”. Në kuadër të këtij operacioni, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit:
D. A. 31 vjeç, S. S., 33 vjeç, të dy banues në Korçë dhe R. Gj., 33 vjeç, banues në Bilisht.
Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasve K. L. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga veprimet hetimore të kryera gjatë një viti, dyshohet se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë edhe 9 shtetas të tjerë, për të cilët ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Nga hetimet ka rezultuar së këta shtetas shpërndanin lëndën narkotike, në afërsi të shkollave dhe në ambiente që frekuentoheshin nga të rinjtë, në qytetin e Korçës dhe të Bilishtit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 180 gramë kokainë, 40 gramë cannabis sativa, 1 peshore elektronike, 2 automjete, 13 celularë, 1000 euro dhe 30 000 lekë.
Specialistët për hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë shtetasve të përfshirë. (A2 Televizion)