
Dy persona të shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik janë arrestuar nga Policia e Vlorës gjatë operacionit të koduar "Rrjetet", i zhvilluar në zonën e Drimadhës.
Gjatë aksionit është arrestuar edhe një 28-vjeçar, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit, ndërsa në vilën ku qëndronin të dyshuarit janë sekuestruar një armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas hetimeve dhe ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale, shkruan A2CNN.
Sipas Policisë, në kuadër të operacionit u kapën G. P., 29 vjeç, dhe Xh. H., 31 vjeç, të cilët ishin shpallur në kërkim me vendime të Gjykatës së Tiranës.
Të dy dyshohen për veprën penale "Mashtrimi kompjuterik", në kuadër të skemave mashtruese të call center-ave, përmes të cilave dyshohet se janë përfituar shuma të konsiderueshme parash.
Për G. P., Gjykata e Tiranës kishte caktuar më 30 prill 2026 masën e sigurisë "Arrest në burg", ndërsa për Xh. H. e njëjta masë ishte vendosur më 13 prill 2026. (A2 Televizion)