Fenomeni i vjedhjeve, e kryesisht ato në banesa më së shumti kanë ndodhur në pikun e sezonit turistik, ku shumë familje largohen nga shtëpitë e tyre për të pushuar në bregdet apo kalojnë më shumë orë jashtë shtëpive të tyre.
Të dhënat e siguruara nga Policia e Tiranës tregojnë se në kryeqytet, numri më i lartë i vjedhjeve ka ndodhur gjatë muajve të verës, shkruan A2 CNN.
Gjatë vitit 2024 kanë ndodhur në total 1299, nga të cilat 80 kanë qenë vjedhje banesash. Policia ka mundur të zbulojë 49 prej tyre dhe të arrestojë 11 autorë.
Krahasuar me vitin 2023, numri i vjedhjeve ka qenë në ulje, por megjithatë zbulueshmëria është ende e vogël.
Kryesisht të rinj dhe përsëritës të veprës penale të vjedhjes shfrytëzojnë çdo hapësirë për të kapërcyer në muret e shtëpive, në dritare apo duke thyer brava dhe dyer, futen brenda shtëpive e vjedhin shuma monetare, sende me vlerë apo edhe elektroshtëpiake.
Zakonisht banesat e piketuara për t’u vjedhur mbahen në vëzhgim për disa ditë dhe pasi sigurohen se pronarët nuk ndodhen në shtëpi, ndërhyjnë për të vjedhur.
Një autor vjedhjeje, sipas Kodit Penal dënohet me gjobë deri në 3 vite burg. E ndërsa vjedhja kryhet në bashkëpunim e më shumë se një herë apo dhe me pasoja të rënda, dënimi shkon deri në 10 vite. Por ajo që bie në sy është fakti se pjesa më e madhe e autorëve të kësaj vepre penale, edhe pse arrestohen, lirohen pas disa muajsh, ku dhe kanë përfituar nga gjykimi i shkurtuar. Në jo pak raste ka rezultuar se autorë të vjedhjeve kanë qenë adoleshentë apo dhe mirorenë.
VITI 2024
80 vjedhje në banesa
49 të zbuluara
11 të arrestuar
VITI 2023
156 vjedhje në banesa
105 të zbuluara
15 të arrestuar (A2 Televizion)