Mëngjesi i së enjtes nuk e gjeti në zyrë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, e as në ndonjë aktivitet të institucionit.
I shoqëruar nga disa vartës të tij, për të dytën herë brenda vitit, Veliaj kaloi pragun e SPAK, në përgjigje të një fletë-thirrjeje nga prokurorët e posaçëm. Për pesë orët e 15 minutat në vijim Veliaj dha shpjegime në lidhje me një hetim të nisur nga SPAK për dyshime mbi veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Sipas burimeve, Veliaj u pyet në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit. Teksa kryebashkiaku shuante interesin e prokurorëve, jashtë SPAK mbërriti një numër i vogël qytetarësh, përfaqësues të familjeve të prekura nga procesi i rindërtimit në zonën e Kombinatit dhe 5 Majit.
Bashkë me pankartat kundër kryebashkiakut, ata shtruan një tapet të kuq para hyrjes së SPAK, moment në të cili ndërhyri edhe policia për t’i zhvendosur. Të njëjtët pritën me thirrje fyese dhe mjetë festive momentin e daljes së Veliajt nga SPAK.
Në mesin e një interesi të lartë të medias, protestuesve, por edhe disa truprojave kryebashkiaku zgjodhi të mos ndajë asnjë koment, veç lajmërimit që do të fliste tek Këshilli Bashkiak.
Për të njëjtin hetim të SPAK të hënën dha shpjegime për tre orë në SPAK, Ajola Xoxa, bashkëshortja e Veliajt, që dy javë më parë ju sekuestrua aparati telefonik celular. Me leje të gjykatës u kontrolluan 4persona të tjerë, apartamente në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, si edhe disa ambiente zyrash, ku u sekuestruan dokumente shkresore dhe pajisje elektronike.
Gjatë kësaj jave gjykatat refuzuan kërkesën e Xoxas dhe kunatit të saj për kthim të sendeve të bllokuara e po ashtu ankimin kundër kontrolleve të SPAK. (A2 Televizion)