Ish-zv.kryeministri në arrati, SPAK "zbret" në gjykatë për Ahmetajn, kërkon gjyq për "shpërdorim detyre"

Nga A2 CNN
18 Janar 2024, 18:12 | Kronikë



Përballja e ish-zv.kryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj me Prokurorinë e Posaçme, SPAK, u zhvendos këtë te enjte në një sallë gjyqi.

Gjykata e Posaçme nisi shqyrtimin e kërkesës së SPAK përdërgimin e tij në gjykim për akuzën e “shpërdorim të detyrës”, kryer gjatë procedurës së privatizimit  e shitjes së ish-ndërmarrjes shtetërore “Buka sh.a.”.

Gjatë seancës paraprake, përmes avokatit të tij, ish-zv.kryeministri në kërkim ndërkombëtar, pretendoi pavlefshmëri të kërkesës për gjykim të prokurorisë dhe hetim të paplotë.  

“Të deklarohet kërkesa e pavlefshme. Aktet t’i rikthehen prokurorisë. Prokuroria të detyrohet të njohë mbrojtjen me të gjitha aktet e hetimit paraprak, si e kërkon ligji dhe mandej  të fillojë përsëri procedura e përfundimit të hetimit”.

Me kërkesë të mbrojtjes për t’u njohur me disa nga aktet e dosjes, seanca u ndërpre dhe u shty për në 2 shkurt.  Sipas SPAK, si ish-ministër i Financave, në vitin 2014 Ahmetaj ka shitur përmes ankandit si pronë shtetërore fabrikën e bukës, në një kohë që ekzistonte një vendim gjyqësor për njohjen e ish-pronarëve të saj, duke shkaktuar një dëm 7 miliardë lekë në buxhetin e shtetit.

Në hetimin e bërë nga SPAK kanë verifikuar edhe transaksionet e bëra mes Ahmetajt dhe familjarëve të tij, apo personave të tjerë nën hetim për të njëjtën çështje, por rezultati ka qenë negativ.

Nga arratia, Ahmetaj ka reaguar disa herë përmes postimeve në Facebook, ku pretendon jo vetëm pafajësi, por edhe se ka mbrojtur interesat e shtetit. Ndërsa konsideron të mbyllur këtë hetim, SPAK ka ende të hapur hetimin që lidh emrin e Ahmetajt me aferën dhe biznesmenët e inceneratorëve. Në atë çështje ish-zv.kryeministri akuzohet për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje ta pasurisë”. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos