Jetnor Zhaboli jo rast i izoluar, historia e tragjedive të shkaktuara nga persona me probleme të shëndetit mendor

Nga Julian Kasapi
29 Janar 2024, 14:05 | Kronikë

35-vjeçari Jetnor Zhaboli që mbajti të izoluar në banesë gruan dhe 2 fëmijët për më shumë se 1 vit në Tiranë, do të qëndrojë në qeli për 20 ditë. Në këtë kohë do të pritet ekspertiza për të parë nëse kryefamiljari ka apo jo probleme të shëndetit mendor që e kanë shtyrë të mbyllë brenda familjen t’i monitorojë ata me kamera e t’u bllokojë valët e telefonit për të mos pasur komunikim me asnjë person.

Ngjarja e rëndë e cila fatmirësisht nuk përfundoi në një tragjedi nuk është e para në Shqipëri. Në shumë raste të tjera persona me çrregullime të shëndetit mendor kanë arritur deri sa të kryejnë vrasje.

Në Dibër, më 23 tetor 2007, 19-vjeçari Shpëtim Ziza vrau 10-vjeçarin nga Peshkopia Bekim Cenga. Trupi pajetë i të miturit u gjet në një përrua afër fshatit Tomin të rrethit të Dibrës 5 ditë pas zhdukjes. Ngjarja tronditi opinion publik ndërsa Zisa u dënua me burgim të përjetshëm ku tentoi disa herë vetëvrasjen.

Në vitin 2011 në Berat një 10-vjeçar u vra, pasi u godit me sende të forta nga një person me problem të shëndetit mendor. Ngjarja ndodhi në fshatin Donfros dhe autori Hysen Senka rezultonte me kartelë mjekësore.

Në vitin 2014 Altin Piroli terrorizoi Laçin, duke vrarë dy vëllezër brenda në një lokal dhe pasi doli jashtë qëlloi sërish në mënyrë pakontrolluar duke plagosur dy kalimtarë të rastit. Altin Piroli, rezultonte sipas policisë së Lezhës person me probleme mendore ndërsa iu gjet një listë me 11 emra të tjerë të cilët do t’i vriste.

Një vit më pas, në Tiranë, një 46-vjeçar vrau me kazmë babanë e tij, 82 vjeç, me të cilin banonte në një shtëpi private në Kinostudio. Policia e Tiranës arrestoi Simon Priftin. Babai i tij, Piro Prifti, kishte denoncuar herë pas here dhunën e ushtruar nga i biri por nisur nga gjendja e tij mendore nuk ishte marrë asnjë masë.

Në gusht të vitit 2016 në Palasë të Vlorës Jorgo Zani i mori jetën kushëririt të tij 12-vjeçar që kishte shkuar me pushime tek gjyshja e tij. I shtruar disa herë në psikiatrinë e Vlorës, pas marrjes në pyetje, Zani tha se e vrau të miturin se e kishte mërzitur. Pasi u mbyll në burg, Zani kreu vetëvrasje.

Në Pogradec një ngjarje horror ndodhi në vitin 2020 ku djali vrau nënën. Olsi Çekiçi e qëlloi disa herë me thikë Firdes Çekiçin ndërsa ishin fqinjët që lajmëruan policinë kur panë trupin e pajetë të 70-vjeçares.

Në të njëjtin vit 71-vjeçari me probleme të shëndetit mendor, Lefter Zhidri, bëri rezistencë forcave speciale për 5 orë në Elbasan duke i qëlluar me armë automatike. Efektivët u rrezikuan kur plumbat e Zhidrit ranë mbi mburojat e specialëve të RENEA-s të cilët arritën ta vrisnin 71-vjeçarin.

Në më të shumtën e rasteve ka rezultuar se të gjithë personat që kanë kryer akte të tilla kanë pasur kartela mjekësore por në asnjë rast nuk paraqiteshin në spital për të marrë mjekim. Edhe pse shume prej tyre të ndaluar për dhunë në familje sërish mjekësia por edhe drejtësia nuk ka arritur të parandalojë ngjarje kaq të rënda.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos