Kallëzimi i Bardhit për "Xibrakën", SPAK nuk gjen prova për Olsi Ramën

Nga Armand Bajrami
10 Janar 2025, 17:52 | Kronikë

Kallëzimi i Bardhit për "Xibrakën", SPAK nuk gjen prova

SPAK nuk ka gjetur asnjë provë që të përfshijë Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, në dosjen “Xibraka”.

Përmes një reagimi zyrtar, SPAK konfirmoi mbylljen e hetimit të nisur pas një kallëzimi të deputetit demokrat, Gazment Bardhi, që pretendonte se Olsi Rama kishte lidhje dhe kontakte me persona të dënuar në lidhje me laboratorin e përpunimit të kokainës në Xibrakë, shkruan A2.

“Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë”, thuhej në reagimin zyrtar të SPAK.

Pas dërgimit për gjykim të disa të pandehurve për laboratorin e zbuluar në vitin 2016, hetimi për identifikimin e personave të tjerë të pëfshirë ishte pezulluar. Ky hetim u riaktivizua pas kallëzimit të bërë nga deputeti Bardhi.
SPAK informoi se në kuadër të këtyre hetimeve janë kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës.

Më 23 dhjetor 2024, pasi nuk ka gjetur prova me rëndësi, apo identifikuar persona të tjerë të pëfshirë në këtë veprimtari kriminale, SPAK ka vendosur të pezullojë hetimin dhe t’a dërgojë dosjen në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos