Ditën e djeshme një 48-vjeçar shqiptar i akuzuar për vrasje, është arrestuar nga oficerët e Departamentit të Sigurisë në aeroportin “Elefterios Venizelos” të Athinës.
Mediat helene e kanë identifikuar si Ralf Feruku me pseudonimin "Taqi shqiptari" dhe e lidhin emrin e tij me grupin e një tjetër shqiptari të njohur në botën e krimit në Greqi, Alket Rizai.
Personazhi në fjalë, rezulton se është arrestuar në vitin 2021 në shoqërinë e Rizait, brenda një xhipi të blinduar në zonën e Lamias. Asokohe u raportua se ai kishte shkuar së bashku me një biznesmen grek, të njohur në botën e jetës së natës, për të takuar Alket Rizain, i cili kishte marrë një leje pesëditore nga burgu i Domokosë.
Në momentin e kapjes, policia zbuloi se ndaj Ferukut rëndonte një urdhër arresti si i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e Roland Shembitrasit dhe Gjergji Kapajt në “Joy Bar” në Glyfada, më 8 tetor 2017. Pas arrestimit, Feruku u mbajt në burg deri në 12 prill 2021 kur u lirua me urdhër të prokurorit pa asnjë masë sigurimi dhe u deportua në Shqipëri.
Sa i përket të shkuarës kriminale, “Taqi shqiptari” akuzohet për një shpërthim të ndodhur në 29 dhjetor të vitit 2014. Asokohe një makinë “Smart”, me të cilën udhëtonte Aleks Rrapo, u hodh në erë teksa lëvizte në autostradën Attiki Odos.
Si pasojë e shpërthimit të tritolit që ishte vendosur nën sediljen e shoferit ndërroi jetë 35-vjeçari dhe u plagos rëndë pasagjerja Maria Lamja, 26 vjeç.
Siç u tha edhe më sipër, Feruku dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në vrasjen e ndodhur në “Joy Bar” në Glyfada. Në këtë sulm të armatosur, i cili lidhej me përplasjet midis grupeve kriminale për trafikun e drogës, një shtetas shqiptar u vra dhe tre të tjerë mbetën të plagosur.
Feruku për herë të parë ka rënë në pranga në vitin 1997 për vrasjen e një greku në Pire por u dënua vetëm 5 vjet burg pasi vrasja u cilësua ne kushtet e vetëmbrojtjes. Gjatë qëndrimit në burgun e Kretës, në 1999 u dyshua bashkë me disa bashkëvuajtës të tjerë për vrasjen e një të burgosuri tjetër por më vonë u shpall i pafajshëm. Ai dyshohet se në 2019 ka marrë pjesë në një shkëmbim zjarri jashtë një kazinoje në zonën e Patisias. Për këtë ngjarje akuzohen edhe disa policë, të cilët u përplasën me armë me civilë për çështje të paligjshme. Gjithashtu në 2015 ai u akuzua si pjesëmarrës në një grup gjobëvënësish në Athinë dhe Iliupoli.
Në Greqi 48-vjeçari njihet edhe me nofkën “Noti” dhe konsiderohet si mik i ngushtë i Alket Rizait dhe personazh veçanërisht i rrezikshëm i botës së krimit. (A2 Televizion)