Vrasja e Xhuvanit, dështon seanca e parë në Apel ndaj ish-efektivit të RENEA, Paplekaj

Nga A2 CNN
30 Janar 2024, 16:31 | Kronikë

Vrasja e Xhuvanit, dështon seanca e parë në Apel ndaj

Gjykata e Apelit të Përgjithshëm u detyrua të shtyjë seancën e parë gjyqësore ndaj Arbër Paplekajt, ish-efektivit të RENEA, të fajësuar nga Gjykata e Elbasanit për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.

Procesi u ndërpre të martën për shkak të mosnjoftimit për seancën të familjarëve të Xhuvanit. Seanca e radhës u caktua për më 14 shkurt, ora 12:30.

Në Apel ish-efektivi i RENEA, Paplekaj, kundërshton dënimin me 22 vite burg dhënë nga Gjykata e Elbasanit.

Ngjarja ndodhi në këtë qytet 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, gjatë një përplasje mes mbështetësve të PD e PS, ku ishin të pranishëm edhe 2 nëndrejtorët e policisë së Elbasanit.

Gjatë gjykimit në Shkallën e Parë Paplekaj pretendoi se krimin e kreu për vetëmbrojtje. Në të njëjtin gjykim janë të pandehur edhe dy ish-nëndrejtorët e policisë së Elbasanit, Albert Nushi e Nikollaq Palla, të lënë nga 1 vit në Shërbim Prove nga Shkalla e Parë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos