Konflikti te Kepi i Rodonit, policia shoqëron 8 persona, mes tyre ish-deputeti Mark Frroku

Nga A2 CNN
30 Tetor 2023, 12:37 | Kronikë



Pretendimet për pronësinë e Kepit të Rodonit kanë shënuar konfliktin e radhës fizik mes banorëve të zonës që pretendojnë pronësinë mbi tokën dhe përfaqësuesve të kishës katolike, të cilët gjithashtu pretendojnë se kanë dokument pronësie të së njëjtës tokë.

Mes personave të përfshirë në konfliktin fizik ku është përdorur edhe armë zjarri pasi policia ka gjetur një gëzhojë, ka qenë i pranishëm edhe ish-deputeti Mark Frroku, si pjesë e përfaqësuesve të kishës katolike.

Banorët e zonës pretendojnë se përfaqësuesit e kishës katolike kanë nisur të rrethojnë një sipërfaqe toke për të cilën si banorët ashtu edhe kisha katolike pretendojnë se kanë dokumentacion për pronësinë e saj.

Kundërshtimi i rrethimit të tokës nga ana e banorëve ka rindezur sërish konfliktin ku tetë persona kanë goditur njëri-tjetrin me sende të forta.

Në njoftimin e saj për ngjarjen Drejtoria e Policisë së Durrësit nënvizon se pretendimet dhe konfliktet mbi pronësinë e tokës në Kepin e Rodonit i janë referuar disa herë prokurorisë së Durrësit, por deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim konkret për sqarim e kësaj situate.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi