Një tarifë prej 120 mijë lekë është kthyer në “mollë sherri” mes ish-ministrit, Ilir Beqaj dhe Prokurorisë së Posaçme SPAK.
Ish-ministrit nën hetim për “shpërdorim të detyrës” në çështjen e “Sterilizimit”, kontratës koncesionare 100 milionë euroshe, i është pohuar nga kryesekretaria e SPAK se duhet të paguajë shumën e 120 mijë lekëve për të marrë një kopje të akteve të dosjes, bazuar kjo në tarifat e institucionit.
Duke mos e pranuar këtë fakt, ish-zyrtari i lartë ka depozituar një kërkesë penale në Gjykatën e Posaçme. Përmes saj ai i kërkon gjykatës të urdhërojë Prokurorinë e Posaçme t’i japë aktet e dosjes pa paguar shpenzimet procedurale paraprakisht.
Këtë të enjte, ish-ministri nuk ishte personalisht në shqyrtimin e kërkesës, por u përfaqësua me avokat. Përmes tij, Beqja pretendoi se duke qenë person nën hetim nuk duhet të paguante për aktet e dosjes në këtë fazë dhe se shpenzimet procedurale mund të paguhen vetëm në fund të procesit.
Seanca u shty për një datë të re, për t’i dhënë kohë ish-ministrit të paraqesë disa prova në formën e kërkuar nga ligji.
Prej nëntorit të vitit të kaluar ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, po hetohet nga SPAK nën masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”. (A2 Televizion)