Sipërmarrësi i punimeve në magazinën e shërbimeve të deputetit të Lushnjës Bujar Çela, ku ndodhi shpërthimi tragjik që i mori jetën dy punonjësve babë e birë dhe u plagosën disa të tjerë përfshirë edhe vetë deputetin e PS, ka dalë para togave të zeza në gjykatën e Fierit, për vlerësimin e masës së sigurisë.
Leonard Gjini, personi i vetëm i arrestuar për këtë ngjarje ka mohuar gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, akuzën e ngritur ndaj tij për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë me pasoja të rënda.
Ai mësohet se ka deklaruar se kishte lidhur kontratë të rregullt me deputetin për të ndërtuar magazinën, por kompania e tij nuk e nisi kurrë punën.
Sipas tij punëtorët që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë se ndërtimit që ai ka. Gjithashtu ai ofroi edhe garanci pasurore që të hetohej në gjendje të lirë ose arrest shtëpie.
Megjithatë gjykata e fierit ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë së Fierit sipas të cilës ndaj Leonard Gjini duhet të hetohet nënë masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë me pasoja të rënda. (A2 Televizion)