Dy persona ndërruan jetë, ndërsa 7 të tjerë, mes të cilëve edhe deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela, mbetën të plagosur si pasojë e një shpërthimi të ndodhur pasditen e së premtes në Lushnjë.
Shkak mendohet të ketë qenë rënia e linjës së tensionit mbi depozitën e gazit duke sjellë dhe shpërthimin e saj.
Dy prej të plagosurve, një 41-vjeçar dhe deputeti socialist u sollën për trajtim më të specializuar në Tiranë, nga ku mëngjesin e së shtunës mësohet se pas ndërhyrjes kirurgjikale, ata ndodhen në gjendje të qëndrueshme, nën monitorimin e mjekëve.
Fillimisht, në vendin e ngjarjes ndërroi jetë drejtuesi i eskavatorit që pati kontakt me linjën e tensionit të lartë, ndërsa më pas humbi jetën edhe i biri i tij, 24-vjeçari Elidon Hoxha. Ky i fundit u nis me urgjencë drejt spitalit të Traumës për një mjekim të specializuar, por për fat të keq nuk ia doli t’i mbijetonte plagëve të marrë.
Më herët, shefi i Urgjencës, Skënder Brataj tha se i riu kishte djegie të rënda në fytyrë dhe ishte futur në intubim.
Me anë të njoftimi zyrtar, policia njoftoi se ngjarja ndodhi pak pas orës 16:00 ku në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm. (A2 Televizion)