Ngjarje e rëndë në Lushnje, një i vdekur dhe 8 të plagosur, mes tyre edhe deputeti i PS

Nga A2 CNN
1 Mars 2024, 16:10 | Kronikë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në qytetin e Lushnjes, ku një person ka ndërruar jetë, ndërsa 8 të tjerë, mes të cilëve edhe deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela, kanë mbetur të plagosur si pasojë e një shpërthimi.

Nga të dhënat e para, ngjarja ka ndodhur në një objekt në ndërtim. Gjatë punimeve, ka pasur kontakt me linjën e tensionit të lartë, e cila ka rënë mbi depozitën e gazit, që shërbente për të furnizuar bizneset e dy magazinave.

Menjëherë pas ngjarjes, të plagosurit janë dërguar në spitalin e Lushnjës, nga ku mësohet se deputeti i Partisë Socialiste i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Plasmasit", në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.

Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur 8 shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore.

Menjëherë, nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit”, njofton policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos