
Policia e Peqinit njofton se ka vënë në pranga një 44-vjeçar, i cili lëvizte i armatosur me pistoletë me automjetin e tij. Sipas policisë, 44-vjeçari u ndalua për kontroll në fshatin Fatisha, ndërsa pas verifikimeve, rezultoi se ai mbante një armë.

“Në vijim të punës intensive të Policisë, për konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin kanë siguruar informacion nga inteligjenca policore, se një shtetas që lëvizte i armatosur në fshatin Fatisha, përbënte rrezik për banorët. Në bazë të këtyre informacioneve është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar "Fatisha". Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi F. D., 44 vjeç, banues në lagjen "Teqe", Peqin. Në fshatin Fatisha është ndaluar për kontroll automjeti që drejtonte 44-vjeçari, të cilit iu gjet me vete, një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, e gatshme për qitje. Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin që drejtonte shtetasi F. D. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Peqinit. (A2 Televizion)