Meta "luan" me Navalni e Tymoshenko, vendimet ndaj Rusisë e Ukrainës, s'bindën Irena Gjokën

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2025, 15:22 | Kronikë

Në një prej përpjekjeve të tij të fundit për lirim nga paraburgimi, ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka tentuar të bindë Gjykatën e Posaçme përmes vendimarrjeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut ndaj politikanëve të arrestuar.

Duke pretenduar se ishte arrestuar për t’i penguar aktivitetin politik, Meta ka paraqitur gjykimet në Strasburg të rasteve Navalni kundër Rusisë dhe Tymoshenko kundër Ukrainës, që sipas GJEDNJ ishin prangosur për qëllime politike, shkruan A2 CNN.

Por praktikat e Gjykatës Europiane ndaj opozitarit të Putin në Rusi, Aleksei Navalni, ish-kryeministres ukrainase, Yulia Tymoshenko, si dhe ato të Labita kundër Italisë, apo Demitras e Kavala kundër Turqisë, nuk kanë rezultuar të suksesshme ballë gjyqtares Irena Gjoka. 

A2 CNN zbardh arsyetimin e firmosur nga gjyqtarja e posaçme Gjoka në 19 shtator, mes të cilit u refuzua kërkesa për shfuqizim të masës “arrest në burg” ndaj Metës, si të pabazuar në ligj dhe në prova.

Në këtë vendimi, gjyqtarja Gjoka vlerëson se pretendimi i mbrojtjes se arrestimi i ish-presidentit Meta ka karakter politk, nuk mbështetet në asnjë provë konkrete, që minimalisht të krijojë dyshimin mbi ndërhyrje të organeve politike mbi prokurorinë ose gjykatën, shkruan A2 CNN.

“Vendimet e GJEDNJ-së të referuara nga mbrojtja, si p.sh. Labita kundër Italisë, Selahattin Demirtas kundër Turqisë, Kavala kundër Turqisë, Navalny kundër Rusisë, Tymoshenko kundër Ukrainës etj, janë të vendosura në një kontekst krejtësisht të ndryshëm nga çështja konkrete objekt shqyrtimi”, vlerësoi Gjoka.

Duke u kthyer tek çështja Meta, gjyqtarja Gjoka vlerëson se nuk ka asnjë provë që masat proceduriale ndaj të pandehurit të jenë ndërmarrë për të penguar aktivitetin e tij politik. Nga ana tjetër, GJKKO vlerëson se ekzistojnë kushtet ligjore, përfshi mundësinë e helmimit të provave, që masa e sigurisë ndaj ish-presidentit të mos ndryshojë.

Vendimarrja gjyqësore më e fundit refuzuese ndaj ish-presidentit Meta u shpall një javë më parë në Gjykatën e Posaçme. Prej arrestimit të tij në tetor 2024, Meta ka dështuar mbi 10 herë në të tre shkallët e gjykimit të lirohet nga kjo masë, ndërkohë që çështja ndaj tij për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë” ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posçme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos