Një ditë e trishtë për futbollin shqiptar! Sefedin Braho, emër i madh i Luftëtarit, kampion me Partizanin, pjesë e Kombëtares shqiptare, është ndarë nga jeta këtë të diel.
Më shpejtësinë dhe driblimet e tij fitoi zemrat e tifozëve gjirokastritë dhe të gjithë atyre që e dashurojnë futbollin.
Braho është përshkruar si futbollisti më i shpejtë i kampionateve shqiptare ndër vite. Një start dhe sprint si të tijin, rrallë kanë parë pistat dhe fushat e futbollit.
Shpejtësi e kombinuar me topin në lëvizje, driblimi, ishin cilësitë që e karakterizonin në individualitetin e tij. Në testime fizike realizonte kohë rekord në garat e distancave të shkurtra, ideale dhe të admirueshme për atlet të nivelit të lartë. (A2 Televizion)