Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka marrë në administrim 102 kontenierët e dyshuar me mbetje toksike shkarkuar ditën e sotme nga anija "Moliva" në Portin e Durrësit.
Ky proces është realizuar në kuadër të një plani të detajuar masash, të miratuar nga Prokuroria e Durrësit, për zbarkimin dhe ruajtjen e kontenierëve në një vend të sigurt dhe jashtë zonave të banuara, duke siguruar gjithashtu kushte strikte sigurie fizike, mjedisore dhe shëndetësore.
Operacioni është mbikëqyrur nga një grup i gjerë institucioni, përfshirë Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, Policinë e Durrësit, Autoritetin Portual, Kapitenerinë e Portit, Doganën e Durrësit dhe Prokurorinë e Durrësit. Pas shkarkimit, kontenierët janë transportuar në një destinacion të sigurt, ku do të vazhdojnë të mbahen nën monitorim të rreptë, shkruan A2.
Të gjithë kontenierët janë kontrolluar dhe verifikuar në mënyrë të hollësishme, duke u skanuar dhe dokumentuar çdo detaj të gjendjes së tyre, nga aspekte vizuale deri tek elementët e sigurisë. Çdo hap i procesit është regjistruar në protokolle të detajuara, për të siguruar transparencën dhe ndjekjen e plotë të procedurave ligjore. (A2 Televizion)