Një koleg shtypi butonin e makinerisë, vdekja e shqiptares në Itali po hetohet si vrasje

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2023, 20:27 | Kronikë

Një koleg shtypi butonin e makinerisë, vdekja e shqiptares në

Ka ndryshuar tërësisht pista e hetimit për ngjarjen që ndodhi në fabrikën e ushqimeve të ngrira “Bocon”, ku humbi jetën 26-vjeçarja shqiptare Anila Grishaj.

Sipas mediave italiane, ajo që shkaktoi tragjedinë në provincën e Trevisos ishte një gabim njerëzor, pasi një nga kolegët e të resë shqiptare që ka kaluar në gjendje shoku, po hetohet për vrasje nga pakujdesia.

Anila punonte në kompaninë e njohur të ushqimeve të ngrira nga Pieve di Soligo që nga viti 2018. Ajo ishte një menaxhere linje deri të martën pasdite në orën 16:00, kur koka e saj ngeci në një makinë paketimi mallrash, që i shtypi rruazat e qafës dhe i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.

Sipas burimeve hetimore dhe konstatimeve të policisë, vajza ishte e angazhuar në disa kontrolle rreth një makinerie të re që e kishte çaktivizuar kur një koleg, duke e parë, e ka aktivizuar pa dashje, pa e kuptuar praninë e 26-vjeçares aty.

Kolegu i saj tani është nën hetim për vrasje nga pakujdesia ndërsa makineria është sekuestruar.

Sa i përket Anilës, ajo jetonte në Vergoman, një fshat i Mianës, së bashku me prindërit e saj Agostinin dhe Marjanën, motrën dhe vëllain e vogël. Familja, e cila priste 26-vjeçaren për darkë, e mësoi lajmin e aksidentit nga lajmet, duke nxituar menjëherë jashtë kompanisë.

Miqtë dhe të afërmit e përshkruajnë viktimën si një vajzë bukuroshe, me një buzëqeshje të stampuar gjithmonë në fytyrë. Ajo ishte e apasionuar pas udhëtimeve dhe fotografisë, e kjo shpjegon pse kishte ndjekur institutin e turizmit Valdobbiadene.

Në vitin 2018 u punësua nga Bocon, në një mjedis pune stimulues, ku mund të zhvillohej si profesionalisht ashtu edhe si person. Pas ngjarjes së rëndë, kompania anuloi një event që supozohej të mbahej të enjten dhe qepenat e restorantit ngjitur me fabrikën do të qëndrojnë të mbyllura deri të hënën më 20 nëntor.

Të mërkurën në mëngjes një mesazh ngushëllimi për vdekjen u publikua në faqen e Bocon në Facebook.

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja shumë e rëndë që na ka goditur. Ishim shumë pranë Anilës, e cila prej disa kohësh ishte pranë nesh dhe vlerësohej shumë për cilësitë njerëzore dhe profesionale. Ne e dimë se dhimbja jonë nuk është asgjë në krahasim me atë që vuajnë prindërit e saj dhe të afërmit e saj. Jemi në dispozicionin tuaj të plotë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu