Një shpërthim tritoli dëmtoi ambientet e një biznesi orët e para të mëngjesit në Tiranë. Ngjarja ndodhi në rrugën Sali Butka ndërsa nga shpërthimi pati vetëm dëme material.
Lokali rezulton në pronësi të një 40-vjeçari, i identifikuar nga policia si Armand Xhaferraj ndërsa tritoli sipas hetuesve është vendosur në derën e jashtme.
Shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha dhe në dy biznese ngjitur, një zyrë dhe një biznes me pjesë këmbimi për automjete. Sipas policisë Xhaferraj e ka marrë me qira ambientin të cilin e kishte kthyer në një bar-restorant.
Pas marrjes në pyetje Xhaferraj ka thënë për hetuesit se dyshon se lënda plasëse i është vënë për shkak të një konflikti që ai ka pasur për tokën përballë bizneseve, zonë e cila shërben si parking privat krah pallatit që u përfshi nga flakët pak muaj më parë në Tiranë.
Pas shpërthimit, veç Xhaferrajt policia mori në pyetje dhe rojën e parkimit, i cili gjatë ngjarjes ka qenë në punë turni i tretë.
Vetë lokali ku ka ndodhur shpërthimi nuk ka kamera, por pritet që policia të vëzhgojë kamerat e sigurisë në bizneset pranë që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit. (A2 Televizion)