Shtyhet seanca për Berishën, avokati: Qëllim djegia e mandatit

Nga A2 CNN
4 Mars 2024, 16:46 | Kronikë

Avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit, Sali Berisha, mbërritën në Gjykatën e Posaçme, pak minuta para nisjes së seancës, ku do të kërkonin shfuqizimin e masës së “arrestit në shtëpi” të klientit të tyre. Kërkesën nuk mundën ta parashtronin për gjykatën, pasi seanca u shty për të premten, më 8 mars. Përmes një reagimi zyrtar, Gjykata e Posaçme tha se ish-kryeministri kishte refuzuar të firmoste fletëthirrjen e gjykatës.

Por sipas gjyqtares Irena Gjoka, ndonëse konsiderohej i njoftuar për seancën, në kushtet kur Berisha nuk ishte prezent në sallë, gjykata nuk dinte vullnetin e tij në lidhje me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo. Për avokatët e Berishës, ky nuk ishte shkaku i vërtetë i shtyrjes. 

“Gjykata në atë qëllimin e saj, që i ka vënë vetes, për të djegur mandatin e zotit Berisha. E shtyu sërish, pa asnjë shkak ligjor, duke pasur të dokumentuar edhe dijeninë e zotit Berisha, por edhe vullnetin e tij për t’u përfaqësuar në mungesë, siç është përfaqësuar në të gjitha seancat që kanë pasur objekt procedural”, tha avokati i tij, Genc Gjokutaj.

Por a do të përsërisin këtë radhë avokatët e Berishës kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Gjoka? “Absolutisht, Irena Gjoka e ka kërkesën e përjashtimit bashkëlidhur. Domethënë vetëm t’ia qepim në pallto, por sigurisht kjo gjyqtare ka edhe probleme të tjera. Do bëni mirë ta pyesni kryeministrin në lidhje me këtë gjyq. Ai mund t’ju sqarojë vërtetë mirë, pasi ai është gjyqtari i vërtetë i kësaj çështjeje”, tha Gjokutaj.

Në seancën pasardhëse, Irena Gjoka vendosi të shtyjë për të premten edhe shqyrtimin e kërkesës së Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha, për shfuqizimin e masës  së “arrest në shtëpi”.  Me kërkesë të SPAK, gjykata vendosi t’i shqyrtojë së bashku, në një çështje të vetme, kërkesat për liri të bëra nga Berisha e Malltezi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos