Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm shtyu për të mërkurën në orën 12:00 seancën ndaj Dervish Hasit, kardiokirurgut të akuzuar për "trafikim të të miturve" dhe "pornografisë".
Në Apel, Hasi kërkonte të ndryshonte masën e sigurisë "arrest në burg" në Shkallën e Parë. Seanca u shty për t'i dhënë kohë avokatëve të rinj të Hasit për t'u njohur me aktet e dosjes.
Mjeku 42-vjeçar, i cili mbante në banesën e tij tri gra duke argumentuar se ia lejonte besimi i tij fetar, dyshohet të ketë shfrytëzuar një vajzë të mitur, duke e prezantuar si bashkëshorten e tij të katërt.
Dyshohet se vajza e mitur shkonte në shtëpinë e mjekut 3-4 ditë të javës dhe për një periudhë 2-vjeçare dyshohet po ashtu se mjeku ka abuzuar seksualisht në mënyrë të rregullt me të.
Vajza tashmë pritet që t’i nënshtrohet një ekspertize të plotë mjekësore për të vërtetuar dyshimet. Policia reagoi pas një denoncimi të bërë për rastin. (A2 Televizion)