Vdekja e punonjësit të Bashkisë në Elbasan, procedohet drejtori i shërbimeve publike, në kërkim përgjegjësi i ndriçimit

Nga A2 CNN
20 Prill 2024, 09:28 | Kronikë

Vdekja e punonjësit të Bashkisë në Elbasan, procedohet

Një ditë pas vdekjes në krye të detyrës të punonjësit të Bashkisë së Elbasanit, Policia e këtij qyteti ka proceduar në gjendje të lirë drejtorin e Administratës dhe Shërbimeve Mbështetëse  në Agjencinë e Shërbimeve Publike dhe Urbane, si edhe ka shpallur në kërkim përgjegjësin e sektorit të ndriçimit të Bashkisë. Ata akuzohen për "shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë".

Një ditë më parë një 56-vjeçar humbi jetën, pasi u rrëzua nga vinçi, gjatë punës për riparimin e llambave elektrike në shtyllat e ndriçimit, në lagjen “5 Maji” të Elbasanit.

Njoftimi i Policisë Elbasan

Në vijim të njoftimit të djeshëm, bëjmë me dije se, Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. Ç., 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Administratës dhe Shërbimeve Mbështetëse  në Agjencinë e Shërbimeve Publike dhe Urbane, Elbasan.

Në vijim të veprimeve hetimore u shpall në kërkim shtetasi M. Q., 54 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë përgjegjësi i Sektorit të ndriçimit pranë Drejtorisë së shërbimeve Publike në A.Sh.P.U, Bashkia Elbasan.

Ditën e djeshme, shtetasi E. B., 56 vjeç, punonjës i Bashkisë, i punësuar në këtë sektor, u rrëzua nga vinçi, gjatë punës për riparimin e llambave elektrike në shtyllat e ndriçimit, në lagjen “5 Maji” dhe si pasojë e dëmtimeve humbi jetën në spital.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë", ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos