Deklaratat e Bardhit, SPAK vendos të mos hetojë kallëzimin penal të Olsi Ramës

Nga Ervin Koçi
25 Prill 2024, 15:42 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka vendosur të mos fillojë një hetim mbi kallëzimin e bërë nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit, Edi Rama, kundër deputetit demokrat, Gazment Bardhi.

Në këtë kallëzim, Rama kërkonte hetimin e deputetit Bardhi për akuzën e “kallëzimit të rreme”. Sipas vëllait të kreut të qeverisë, Bardhi kishte bërë deklarata të pavërteta në një emision televiziv në drejtim të tij, që sipas Ramës, e ngarkonin me përgjegjësi penale, si person që ka pasur kontakte me individë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Në vendimin e datës 17 prill për mosfillimin e procedimit penal, prokurori i SPAK Elvin Gokaj arsyeton se hetimi për “kallëzim të rremë” ndaj Bardhit nuk mund të fillonte, pasi ai vetë nuk kishte bërë ndonjë kallëzim penal.

“Nuk provohet që i kallëzuari Gazment Bardhi të ketë kryer faktin për të cilën është kallëzuar, pasi nuk ka depozituar kallëzim penal në prokurori, apo në Policinë Gjyqësore për shtetasin Olsi Rama. Në këto kushte, përderisa nuk provohet se i kallëzuari e ka kryer faktin që është kallëzuar, atëherë nuk provohet as faji, pasi nuk provohet si elementi intelektual ashtu edhe ai evolutiv, që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale”. Arsyetimi i SPAK.

Në kallëzimin e bërë në SPAK, Olsi Rama, pretendonte se deklaratat publike të Gazmet Bardhit në emër të tij, ishin tërësisht të rreme dhe të përdorura qëllimisht nga deputeti për të goditur e cenuar emrin dhe dinjitetin e kallëzuesit dhe familjarëve të tij.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos