Gjykata e Apelit të Përgjithshëm vendosi të mos lirojë nga paraburgimi asnjë prej tre fëmijëve të Pëllumb Metës, të akuzuar për vrasjen e më pas groposjen e kufomës së babait të tyre.
Masa e sigurisë “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Durrësit mbeti e pandryshuar në Apel për Hygerta Metën dhe vëllezërit e saj Hysen e Amarildo Meta.
Izolimi në qeli u kundërshtua në Apel vetëm nga dy vëllezërit e 19-vjeçares që peretendon se është autore e vrasjes së të atit brenda banesës së tyre në Shënvlash të Durrësit dhe jo prej saj.
Pas këtij vendimi të apelit Hygerta Meta dhe vëllezërit do të vijojnë të mbajnë në izolim burgu, ndërsa do të hetohen për veprat penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe ”fshehja ose asgjësimi i kufomës”.
Krimi në familjen Meta u zbulua më 23 shkurt, gati 2 javë pasi kishte ndodhur.
Kryefamiljari 50 vjeçar, Pëllumb Meta, fillimisht u denoncua si i humbur nga familjarët e tij, por hetimi zbuloi se ai ishte vrarë me armë zjarri dhe groposur në kasollen e bagëtive.
Në deklarimet e para në polici, krimi u pretendua të ishte kryer nga vajza e familjes, Hygerta Meta, por më pas u pranua nga vëllai i saj, Hyseni.
Por në seancën gjyqësore të caktimit të masës së sigurisë në Gjykatën e Durrësit, Hysen Meta u tërhoq nga ky qëndrim, duke pretenduar se vrasjen e ka kryer motra 19-vjeçare dhe se ai kishte rol vetëm në fshehjen e kufomës e të armës. Deri në këtë pikë të hetimit, i dyshuari i Prokurorisë si personi që ka shkrehur armën është Hysen Meta.
(A2 Televizion)