
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së shtunës në Rrogozhinë, ku një konflikt mes dy fqinjëve ka përfunduar me humbjen e jetës së një 60-vjeçari.
Sipas të dhënave të policisë rreth orës 21:50, në lagjen “Mollaj” të këtij qyteti, 25-vjeçari Meklan Meçe plagosi fillimisht me thikë fqinjin e tij Rrapush Memolla, 60 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, 60-vjeçari Rrapush Memolla ndërroi jetë. Ndërkohë, autori i dyshuar, Meklan Meçe, ka pësuar dëmtime të lehta në dorë.
Shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë pas marrjes së njoftimit, duke shkuar në vendngjarje dhe duke bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e 25-vjeçarit, i cili dyshohet si autor i ngjarjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
(A2 Televizion)