Në kuadër të ditës ndërkombëtare të muzeve në Parkun arkeologjik të Apolonisë janë një sëre aktivitetesh që kanë kulmuar me prezantimin e fotove dhe objekteve të veçantë në mjediset e muzeut, por edhe në veprimtaritë e zhvilluara në qendrën e qytetit antik. Për Ornela Dyrmishin, drejtoren e këtij Parku, promovimi përmes pjesëmarrjes së komunitetit është mjaft i rëndësishëm.
Ndërkohë dy misione arkeologjike ai shqiptaro-francez dhe ai shqiptaro- gjerman së shpejti rifillojnë punën për zbulimin e monumenteve dhe sekreteve që fsheh nëntoka e këtij siti të rëndësishëm arkeologjik.
Muzeu i Apolonisë është një nga më të vjetrit të hapur në vend që prej viteve 50' dhe ka një ekspozitë mjaft interesante dhe të pasur. Për arkeologun Bashkim Vrekaj kjo është një pasuri mjaft e vyer e arkeologjisë dhe historisë shqiptare, e cila promovon dhe shërben si një pol tërheqës për turistë e vizitore nga e gjithë bota.
Qyteti antik i Apolonisë është një nga sitet më të rëndësishme të turizmit në vend dhe gjatë këtij viti parashikohet një fluks në rritje i vizitorëve i cili ka nisur që në nisje të sezonit turistik. (A2 Televizion)