A do kandidojë Tavo për kryetar bashkie të Himarës?

Nga A2 CNN
29 Mars 2024, 19:46 | Politikë

A do kandidojë Tavo për kryetar bashkie të Himarës?

Pas 10 muajsh me kryetar në detyrë, tashmë bashkia e Himarës ka një kryetare të komanduar mirëpo kjo është shoqëruar me kaos dhe debate të shumta, duke sjellë edhe reagim të ashpër nga Greqia.

Mirëpo, gjithçka ka ndodhur deri më tani, përshirë edhe sherrin në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, për prefektin Vangjel Tavo është një konflikt i stisur për interesa shumë të vogla. Në një intervistë në A2 CNN, me gazetaren Bruna Çiflgu, Tavu u shpreh se kjo “furtunë në gotë”, siç ai e cilësoi, po bëhet për shkak të keqinterpretimit të ligjit, me ose pa qëllim.

“Unë isha si prefekt i Vlorës, në fund të fundit dhe sikur të isha si qytetar i thjesht, ka të drejtën time të isha present në atë sallë, mendoj se duke e keqinterpretuar ligjin, ose e bëjnë qëllimisht, ata mendojnë se mund të intimidojnë Këshillin për të ushtruar funksionet e tij, bazuar në ligjin për pushtetin vendor. Janë ata që duan të mbajnë Himarën peng, Himara nuk është pjesë e një grupimi njerëzish, por Bashki e gjithë atij komuniteti që jeton në Himarë, por po kalon momente të pamerituara për komunitetin himariot për shkak të keqinterpretimeve që duan t’i bëjnë ligje dhe konflikteve lokale që kanë marrë përmasa absurd. Stuhi në gotë, duhet të nxjerrin mësim të gjithë në radhë të parë përfaqësues të atij komunitetit, të ulen dhe të bashkëpunojnë. Konflikte të stisura për interesa të vogla që ushqejnë sherr”, tha ai.

Tavo nuk pati një përgjigje konkrete nëse do të jetë ai kandidat i socialistëve për kryebashkiak. Ai u mjaftua të thoshte që do jetë i angazhuar më së miri për të bërë punën e prefektit të qarkut, por mos e mohuar kategorisht pranimin e një ftese të mundshme nga kryesocialisti Edi Rama.

“Jam totalisht i angazhuar në detyrën që më është caktuar të prefektit të qarkut të Vlorës, që përveç Himarës ka dhe Bashki të tjera dhe jam i angazhuar për t’i shërbyer këtij komuniteti dhe përtej garantorit”, deklaroi Tavo në një intervistë në A2 CNN.

Akuzave nga burgu të kandidatit të zgjedhur, por të pabetuar, Fredi Belerit se ka nisur fushatën, Tavo i përgjigjet shumë shkurt. Ai tha se çështja e pronësisë nuk është për fushatë, por një mundësi zgjidhjeje të një prej problematikave më të mëdha me të cilat përballet ky komunitet.

“Një nga gjërat që do merrem në qarkun e Vlorë është problematika e marrjes së titujve të pronësisë, prefekti nuk bën fushatë elektorale, e kam marrë këtë angazhim për t’u shërbyer njerëzve që duan që pronat që kanë t’i kenë me certifikatën e pronësisë. Një turizëm që do rrisë të ardhurat për çdo familje. Ngaqë kam bërë diku të 16 fushata, nuk më bën përshtypje se çfarë thonë. Nuk është fushatë elektorale, por një problematikë që nuk mund të mbahet peng nga një grup njerëzit”, u shpreh ai.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu