Këshilli zgjedh Blerina Balën, nga kryetar në detyrë me kryetare të komanduar për Himarën

Nga Gazmend Janku dhe Jerola Ziaj
29 Mars 2024, 15:39 | Politikë

Pas 10 muajsh me kryetar në detyrë, tashmë bashkia e Himarës ka një kryetare të komanduar në krye të saj.

Me shumicë të votave të këshillit bashkiak të Himarës, u caktua nënkryetarja Blerina Bala të ushtrojë detyrat e kryebashkiakes së Himarës deri në zgjidhjen e problematikës që ka mbërthyer postin e kryetarit të kësaj bashkie, pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur më 14 maj Fredi Belerit per korrupsion zgjedhor dhe, 10 muaj më pas, edhe  të kryetarit që ishte në detyrë, Jorgo Goros per ceshtje pronesie.

Këshill ka nga totali prej 15 votash pro Balës, 9 janë nga anëtarët e PS në këshill, 6 nga subjektet e tjera politike përfshirë nga radhët e opozitës. 6 anëtarë nuk morën pjesën në votim.

Pas zgjedhjes, kryetarja e komanduar nuk preferoi të prononcohet për mediat, por shpërndau mesazhin e saj në mënyrë elektronike.

Zgjedhja e Blerina Balës u parapri nga tensione të mbështetësve të kryetarit të zgjedhur Fredi Belerit, të cilët kanë refuzuar praninë në sallën e mbledhjes të prefektit të Vlorës Vangjel Tavo, dhe drejtuesit politik të PS Blendi Klosi.

Për shkak të këtyre kundërshtive mbledhja u spostua në ambientet e godinës së Bashkisë, ku u realizua edhe procedura e zgjedhjes.

Përkrahës të kryetarit të zgjedhur të bashksisë së Himarës, Fredi Beleri e cilësuan farsë komandimin e Blerina Balës në krye të bashkisë.

Ndërsa për prefektin e Vlorës, ata persona që shfaqën kundërshti dhe nuk lejuan zhvillimin normal te mbledhjes janë një pakicë dhe se qëllimi i kësaj procedure është që të fillojë sa më shpejt puna për trajtimin e problemeve të himariotëve përfshire dhe ata që kundërshtuan.

Prefekt i Vlorës Tavo ka deklaruar gjithashtu se ka nisur puna së bashku me kadastrën për pajisjen e himariotëve me titujt e pronësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos