Bala në krye të bashkisë Himarë, Rama: Zhvillim pozitiv, himariotët treguan se nuk duan përçarjen e konfliktin

Nga A2 CNN
29 Mars 2024, 13:13 | Politikë

Bala në krye të bashkisë Himarë, Rama: Zhvillim pozitiv,

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një zhvillim pozitiv zgjedhjen e Blerina Balajt, si kryetare e komanduar e Bashkisë Himarë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja për këtë bashki. 

Sipas kreut të qeverisë, me votimin e sotëm, 15 pro Balajt dhe 4 kundër, himariotët treguan se nuk duan konfliktin dhe përçarjen, që sipas tij, ushqehet nga "interesa që s'kanë lidhje me interesat legjitime të popullit të Himarës."

EDI RAMA NË "X"

"Zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak të Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore. Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat legjitime të popullit të Himarës."

Pas 10 muajsh me kryetar në detyrë, tashmë bashkia e Himarës ka një kryetare të komanduar.

Me shumicë të votave të këshillit bashkiak të Himarës, u caktua nënkryetarja Blerina Bala të ushtrojë detyrat e kryebashkiakes së Himarës deri në zgjidhjen e problematikës që ka mbërthyer postin e kryetarit të kësaj bashkie, pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur më 14 maj Fredi Belerit dhe arrestimit 10 muaj më pas të kryetarit që ishte në detyrë, Jorgo Goros.

Nga totali prej 15 votash pro Balës, 9 janë nga anëtarët e PS në këshill ndërsa 6 të tjera nga partitë e opozitës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos