Drejtuesi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj ka paralajmëruar se nga java e ardhshme do të nisin kallëzimet në SPAK.
I ftuar në A2 CNN në emisionin “Debat” nga Alba Alishani, Lapaj tha se kanë përgatitur dosjet dhe se bëhet fjalë për denoncime të forta. Ai u shpreh se këto denoncime do të jenë në të gjitha sektorët, nga burgjet te arsimit, por u kursye për të mos dhënë detaje.
”Do bëjmë kallëzime në SPAK, kemi shumë të forta në çdo sektor, do i nisim nga java tjetër kallëzimet, po punojmë me fakte, i kemi mbledhur dokumentet. Janë në çdo sektor, nga burgjet te arsimi, të gjitha sektorët i kemi skanuar”, tha ai.
Duke u ndalur te nisma që ai ka ndërmarrë për të mbledhur 20 mijë firma për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për ta çuar në Kuvend, Lapaj zbuloi se deri më tani procesi ka shkuar shumë mirë. Ai është shprehur se deri më tani janë mbledhur mbi 5000 mijë firma, e ndërsa deri nga fundi i muajit tjetër do kenë siguruar numrin e nevojshëm për “”Shqipëria një zonë zgjedhore, vota e emigrantëve dhe listat e hapura”. (A2 Televizion)