15 vite në NATO, Berisha: Në rrafshin politik, Shqipëria s’mund të jetë pjesë e Aleancës

Nga Anesti Barjamemaj
28 Mars 2024, 16:03 | Politikë

“Kjo ishte mrekullia më e madhe e lirisë për Shqipërinë.” Edhe pas 15 vitesh Sali Berisha e vlerëson anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si ngjarjen më të rëndësishme historike për vendin.

“NATO përmbushi misionin e saj historik.”

Por kur i gëzohej si kryeministër i vendit ngritjes së flamurit kuqezi krah atyre të aleancës veriatlantike Sali Berisha as nuk do ta kishte çuar nëpër mend se 15 vite më pas, do të fliste për këtë ngjarje historike nga arresti shtëpiak.

Takimit të posaçëm në nderim të saj të organizuar në seli, ju bashkua përmes një videomesazh nga banesa ku qëndron prej tre muajsh.

NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarake, por edhe politike, ndaj sipas Berishës nga pikëpamja e demokracisë, Shqipëria nuk do ta meritonte sot praninë aty.

“Mendoj se në rrafshin politik, Shqipëria nuk plotëson më kriteret politike për të qenë anëtarë e kësaj aleance. Si në asnjë vend tjetër të aleancës dhe në kundërshtim flagrant me parimet më themelore të një shoqërie të lirë, sot të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e një njeriu.”

Teksa bëri një historik të viteve të tranzicionit të Shqipërisë, deklaroi se Partia Demokratike gjithmonë kanë punuar për të qenë afër NATO-s, por sipas tij ndryshe ka ndodhur me Partinë Socialiste.

“Nuk mund të mos theksoj përsëri, dyzimin e PS, në njërën anë në samitin e Bukureshtit, ku do merrnin ftesën për anëtarësim në NATO, shoqërohej delegacioni edhe nga zonja Leskaj. Nga ana tjetër kthehej në Tiranë, Edi Rama organizonte mitingje kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO me portretet e Enver Hoxhës. Por asgjë nuk pengoi, Shqipëria u anëtarësua dhe kjo është një arritje pa dyshim historike”.

Demokratët sot nuk janë bashkë si 15 vite më parë, madje në krah nuk kanë as Lulzim Bashën që atëherë mbante postin e ministrit të Jashtëm.

Por të dy palët ndajnë krenarinë për anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave dhe përgatitjen e vendit për marrjen statusit të kandidatit në Bashkimin Europian gjatë qeverisjes së tyre.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos