Mandati i Olta Xhaçkës vijon të përplasë Lindita Nikollën dhe Grupin Parlamentar demokrat. Në ditën e tretë të letërkëmbimit Gazment Bardhi përdor edhe tone kërcënuese.
Kreu i deputetëve demokrat, i tregoi Kodin Penal kryetares së Kuvendit, duke akuzuar se është subjekt i tyre, pasi ai e sheh si zvarritje të qëllimtë te zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Ju sjellim në vëmendje se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim dhe nga ky detyrim kushtetues e ligjor nuk bën përjashtim as Kuvendi dhe as Kryetari i Kuvendit. Mos zbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal”, thotë Gazment Bardhi.
Dënimi për këto dy nene të Kodit Penal shkon nga gjobë deri në 3 vite burg.Por demokratët duket se kanë një merak tjetër, dhe akuzojnë maxhorancën se po i jep mbrojtje politike Xhaçkës dhe sipas tyre në këtë mënyrë po i japin një mesazh edhe SPAK-ut.
“Në vlerësimin tonë, ky është një sinjal politik edhe për SPAK që të mos hetojë deputeten e mazhorancës dhe familjarët e saj, për implikimin e mundshëm në tjetërsimin e paligjshëm të pronave publike, apo të mos hetojë autoritetet përgjegjëse, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, që në shkelje të ligjit dhe me dokumente të falsifikuara i kanë dhënë familjes së deputetes Xhaçka statusin e investitorit strategjik dhe benefitet ligjore e financiare që vijnë nga ky status”, shprehet më tej Bardhi.
Referuar shpjegimit që kryetarja e Kuvendit i dha Bardhit për mosmbledhjen konferencës së kryetarëve, ai e sheh këtë si shmangie përgjegjësie, teksa kujton se Këshilli për Legjislacionin nuk është organ vendimmarrës por këshillimor.
Ai ka prezantuar dy qëndrime, ndaj atëherë kjo çështje duhet të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve, si struktura përgjegjëse parlamentare për organizimin e punës së organeve brenda Kuvendit, thekson bardhi duke përsëritur thirrjen ndaj Nikollës për veprim urgjent. (A2 Televizion)