“Grupi i paqes” nis punën, prioritet reforma zgjedhore, Amnistia Penale drejt Parlamentit

Nga Fjorela Beleshi
28 Mars 2024, 15:38 | Politikë

Kur Enkelejd Alibeaj po pinte kafen e mëngjesit, vetë pak metra më tutje, Damian Gjiknuri u ul me Oerd Bylykbashin për te nisur së bashku një tjetër negociatë për reformën zgjedhore. Rikthimi i tyre së bashku në tryezë me të njëjtin mision nuk ishte përjashtues për ata që nuk janë apo ata që refuzojnë të jenë, në këtë rast demokratët e Lulzim Bashës.

Por ish-homologu i Alibeajt në komisionin e dështuar të reformës zgjedhore u kujdes të jepte garanci.

Dakordësia kryesore është se fokusi i grupit të punës në Komisionin e Ligjeve do të jetë reforma zgjedhore dhe përmbyllja e saj në afat duke adresuar rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për votën emigrantëve dhe listat e kandidatëve për deputetë.

Sipas marrëveshjes politike ky grup pune do të shqyrtojë ligjet që kërkojnë 84 vota. Dy palët u kujdesën që në vend të numrit të votave të përmendin fjalën konsensus.

Për Amnistinë Penale, Gjiknuri tregoi se negociatat po bëhen në zyra të tjera. Tryeza e bashkëpunimit ka zbutur edhe qëndrimin e demokratëve për këtë propozim të socialistëve. 

Deputetët e opozitës së bashku me kolegët socialistë do të mblidhen të premten ardhshme me 5 prill, për të vendosur edhe kalendarin mbi të cilin do të vënë  në shina punën e tyre një vit para zgjedhjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos