Anulohet votimi i 7 marsit, PS-PD me konsensus “rrëzojnë” seancën e drejtuar nga Felaj

Nga Fjorela Beleshi
29 Mars 2024, 12:43 | Politikë

“68 vota hapim procesin e votimit. Ne gjithmonë e bëjmë kuorumin e nevojshëm.” Jo, thotë Sekretariati i Etikës dhe Votimit, nuk e kishte kuorumin e nevojshëm, duke rrëzuar në këtë mënyrë votimin e seancës së 7 marsit të drejtuar nga nënkryetarja socialistë e Kuvendit Ermonela Felaj.

Kërkesa  e kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi për ta bërë të pavlefshëm këtë proces, me argumentin se është shkelur Rregullorja e Kuvendit, ka marrë edhe votat e deputetëve të PS.

"Me konsensus të 4 anëtarëve, të 4 kanë votuar pro anulimit të votimit të 5 projektligjeve të datës 7 mars. Pretendimi ynë gjeti mbështetje. Sot është një fitore e vogël në dukje, por arroganca se si janë bërë këto votime gjatë gjithë kohës do verifikojmë gjithë votimet e tjera gjatë kohës që kemi qenë në aksionin opozitar. Besoj se do jenë në seancën e radhës, kalojnë për votim në seancën e radhës sipas rregullores. I mbetet kuvendit ta caktojë. Nuk mund të ketë në kuvend egoizëm të tillë nga drejtuesit e seancës të bëjnë atë lloj votimi pa kuorum në sallë”, tha Saimir Korreshi.

Deputeti demokrat kishte edhe një kërkesë tjetër për kolegët e grupit të tij parlamentar, që duke marrë shkas nga ky precedent të verifikojnë edhe seanca e tjera gjatë kohës që opozita ishte në protestë.

Me këtë vendim të Sekretariatit, 5  projektligjet do të rikthehen sërish në seancën e radhës për të marrë votat në një proces të rregull në bazë të Rregullores së Kuvendit.

Për socialistët nuk do të kthehet në një problem pasi për 5 nismat, me në krye zgjatja e afatit të Investimeve strategjike deri në fundvit nevojitet shumicë e thjeshtë votash.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos