A do të takohet me Mitsotakis? Rama më 12 maj në Athinë me komunitetin shqiptar

Nga Fjorela Beleshi
22 Prill 2024, 13:24 | Politikë

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Greqisë. A2CNN ka mësuar se më 12 maj shefi i mazhorancës, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, do të zhvillojnë një takim në Athinë me komunitetin shqiptar që jeton në shtetin helen.

Kjo lëvizje e Ramës vjen në një moment kur partia e tij është në një fazë ristrukturimi dhe është në valën e fushatës për të tërhequr anëtarë të rinj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Për shkak të kësaj vizite në shtetin grek, socialistët kanë zhvendosur më 10-11 maj zgjedhjet e delegatëve të Kongresit me parimin një anëtar një votë.

Përveç takimit me emigrantët shqiptarë apo anëtarët e PS-së, me interes pritet nëse prania e kryeministrit në Athinë do të shfrytëzohet për ndonjë takim informal me homologun grek Kyriakos Mitsotakis, pas tensioneve që vijojnë prej muajsh, për shkak të arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Alfred Beleri.

Zyra e Kryeministrisë në Tiranë, deri më tani, nuk konfirmon një takim të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos