Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar nga këshilltarët bashkiakë demokratë më shumë mobilizim dhe përgatitje për të denoncuar abuzimet në prag të rishikimit të buxhetit. Në fjalën e tij, kreu demokrat i ka cilësuar bashkitë si grupe të strukturuara kriminale, që sipas tij taksat e qytetarëve i kanë kthyer në pasuri për drejtorët dhe u bëri thirrje këshilltarëve që të denoncojnë çdo ditë aferat korruptive.
“Ka nevojë për më shumë përkushtim dhe punë. Shumë prej bashkive do t’i kthehen ritualit të rishikimit të buxhetit. Duhet një mobilizim i ri energjish duhet fokus dhe përgatitje e mirë nga secili prej jush në prag të rishikimit të buxhetit. Dështim total i reformës territoriale. Një grup i strukturuar kriminal rriti taksat dhe i kanalizoi në xhepat e një grushti njerëzish që janë drejtorët e kryetarit të bashkisë. Filozofi vetëshërbimi në vend që t’i kthejë te qytetarët, i bëjnë pasuri, një skemë e pastër mafioze. Ka kulmuar në Bashkinë e Tiranës, por nuk është i vetmi rast. Shpërbërja e çdo përgjegjësie e llogaridhënieje si rezultat edhe i reformës së dështuar territoriale ka sjellë që në vend që të kemi 61 bashki, kemi 40 e ca grupe të strukturuara kriminale”.
Sipas tij pranimi i të keqes si normalitet është fatal për shqiptarët, duke zbrazur vendin. Ai u kërkoi këshilltarëve që të denoncojnë çdo ditë çdo akt abuzimi, vjedhje e korrupsioni.
“Kjo është një detyrë e madhe e drejtësisë që ka nisur ta kryej , por ne jemi PD, opozita politike dhe nuk mund të presim e kënaqemi, por të inkurajojmë e mbështesim hetimin e këtyre grupeve të strukturuara kriminale që i thonë vetes bashki. Nuk ka në historinë e globit një qark më të shkurtër korrupsioni se ky rrit taksat që të vjedhin qytetarët. Nuk mjafton vetëm denoncimi e mbështetja e ndjekja penale, se qytetarët ndodhen në kurth të rrezikshëm”.
Basha theksoi se qytetarët ndodhen në një kurth të rrezikshëm për shkak të pushtetit të korruptuar dhe krizës së opozitës.
“Nga njëra anë ka pushtet të korruptuar deri në palcë dhe në anë tjetër përballën me një krizë të opozitës e cila ushqen sentencën e dëshpëruar që gjendja kështu është dhe nuk kemi ç’të bëjmë dhe e keqja pranohet si diçka e natyrshme. Kjo po e zbraz vendin. Mungesa e shpresën për ndryshim Pranimi i të keqes si normalitet është fatal për shqiptarët. Asgjë nuk mund të bëjmë brenda 24 orësh për ta ndryshuar 100%,por mund të hedhim hapin e parë të ndryshimit. Hapi i parë është të denoncojmë gjithçka që ndodh në bashkitë e vendit në kundërshtim me ligjin, me korrupsionin dhe zaptimin e pronave publike e private dhe mungesën totale të shërbimeve. Si mund të pranojmë rritje të tarifave kur shërbimet vetëm përkeqësohen. Detyra e parë është të kthejmë vëmendjen te përditshmëria e njerëzve. Pritshmëritë e njerëzve ndaj nesh janë shumë të mëdha nuk kanë ku të përplasen u rriten tarifat, u zaptohen hapësira publike, u futen në mes skema mafioze si inceneratorët. Me këtë mal korrupsioni të Ramës e Veliajt, nuk duhet të ketë një ditë të vitit ku këshilltarët tanë të mos denoncojnë me zë të lartë se çfarë po ndodh dhe nuk ka foltore më të mirë se aty ku ndodh abuzimi vjedhja. Hapi i parë është denoncimi i përditshëm i këtyre aferave”. (A2 Televizion)