Hetimi parlamentar për TIMS, kthehet paqja në komision hetimor, demokratët pajtohen me ligjin e ri

Nga Fjorela Beleshi
19 Prill 2024, 12:49 | Politikë

“Pro, kundër s’ka, abstenim jo, të mërzitur s’kemi ç’bëjmë”. Demokratët u pajtuan me ligjin e ri të komisioneve hetimore, ndërsa socialistët u rikthyen në punë pas bojkotit të herës së fundit. Kërkesa ndaj institucioneve shtetërore dhe atyre të drejtësisë për hetimin ndaj ndërhyrjes në sistemim TIMS u miratua me votat e shumicës dhe demokratëve sipas rregullave të reja, ku edhe për marrjen e informacioneve e vendosin ekspertët dhe jo deputetët.

“Sot u vetëfrenuam nga retorika politike. Kaq ishte e gjitha kryetar, nuk merr shumë koha për të respektuar ligjin”, tha socialisti Toni Gogu.

“Padiskutim nëse ka vullnet politik puna e këtij komisioni ecën në shinat e kushtetutshmërisë dhe ligjit”, u shpreh demokrati Toni Gogu.

Demokratët hoqën dorë në disa nga propozimet e tyre, pasi ekspertët e majtë të komisionit nuk pranuan tërheqjen e dosjes hetimore për TIMS nga Prokuroria e Tiranës dhe SPAK.

“Ekspertët kanë rënë dakord dhe duhet ta heqim kërkesën për marrjen e fashikullit”, u shpreh Salianji.

Retorika politike mungoi në një mbledhje që zgjati vetëm 60 minuta, por në përfundim u shkëmbyen disa batuta ironike mes kryetarit Ervin Saljanjit dhe socialistes Gjylametit.

“Propozoj që mbledhja e radhës e komisionit të mbahet në ditën kur të keni protestën tjetër se jeni më eficentë”, u shpreh Gjylameti.

“Unë ju ftoj në protestën para bashkisë së Tiranës. E kam seriozisht se pastaj vini mbledhjen tjetër dhe thoni mos e kishit me shaka”, iu përgjigj Salianji.

Saljanji porositi të gjithë anëtarët e komisionit hetimor për t’u pajisur me certifikata sigurie për të shmangur në këtë mënyrë çdo ngërç apo vonesë në hetimin parlamentar për ndërhyrjen në sistemin TIMS. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos