“Njëri majë pallatit, tjetri në delirin e madhështisë”, Spiropali ironizon deputetët e opozitës

Nga A2 CNN
18 Prill 2024, 10:50 | Politikë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, duke folur në seancën e sotme plenare, ka ironizuar deputetët e opozitës, duke u kërkuar të japin opinionet e tyre lidhur me deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PL-së, Ilir Meta lidhur me SPAK.

“A keni ndonjë opinion për baballarët në majë të thanës ku janë ngjitur. Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK, tjetri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon SPAK dhe kreun e SPAK nëpër ekrane e ku t'i dalë përpara? A keni një opinion për këto? Bëni prokurorin e gjyqtarin këtu?

Për gjuhën e dalë fare nga binarët e mendjes të dy baballarëve tuaj në majë të thanës nuk e përmendni, dhe silleni këtu sikur nuk ekziston, të dy presidentë të kësaj republike.

Të dy kryeministra të këtij vendi dhe bela të këtij populli, të cilin nuk mund të shpreheni dhe vini këtu për të bërë rrëmujë e të na thoni se çfarë opinion keni për ulërimat e tyre dhe helbete ata nuk janë kokëdele, por dy baballarët e opozitës tuaj, në emër të të cilëve vini këtu dhe na drejtoni gishtin për drejtësinë, ju që jeni të zhytur kokë e këmbë brenda me dy gishta jashtë.

Ju gënjen mendja se mund të hani thana në pemët e tyre dhe t'i vilni votat në koshin e popullit, ndaj vini këtu e flisni këtë gjuhë”, u shpreh ministrja Spiropali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos