Në javën e tretë të protestës kundër kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, thirrja ishte e njëjtë: Veliaj largohu, hajdut etj.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, mbështetur nga demokratët e Rithemelimit dhe Partia e Lirisë, edhe këtë të premte mblodhën qytetarët para Bashkisë së Tiranës, ku prezenca ishte më e madhe në numra. Edhe forcat e policisë kishin marrë masa më të përforcuara por gjithsesi nuk munguan përplasjet.
Fjalimi i anëtarit të Kryesisë së Rithemelimit, Belind Këlliçi, ndezi më shumë situatën.
Tentativa për të çarë kordonin e policisë dhe për t’u futur në godinë nga dera kryesore e Bashkisë, rezultoi e pasuksesshme, ndaj protestuesit kaluan në planin B, duke tentuar një tjetër hyrje.
Edhe këtë herë, forcat e rendit nuk lejuan protestuesit të merrnin godinën. Anëtarët e opozitës në Këshillin Bashkiak që ishin dhe në vijën e parë nisën akuzat ndaj uniformave blu.
Organizatorët premtuan se nuk do të largoheshin pa u futur në bashki, por qytetarët të ndikuar dhe nga kushtet atmosferike nisën të shpërndaheshin. Pas largimit të protestuesve, policia rrethoi hyrjen kryesore të bashkisë duke e konsideruar si zonë krimi, ndërsa tubimi i radhës u njoftua për të premten e ardhshme. (A2 Televizion)